Programi për Karrierë dhe Punësim

Programi për Karrierë dhe Punësim, pjesë e Panairit AAB 2022, mundësi e artë për studentët e Infermierisë për punësim në Gjermani

30.05.2022

Për dy ditë radhazi është mbajtur edicioni i parë i Panairit për Karrierë dhe Punësim AAB 2022 në të cilën po marrin pjesë mbi 50 kompani vendore dhe ndërkombëtare, duke u njoftuar për mundësitë për punësim dhe ngritje profesionale për studentët dhe të diplomuarit e Kolegjit AAB. 

Në fjalën e tij kryetari i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa, përshëndeti këtë panair duke e cilësuar si një vlerë dhe mundësi tjetër të shtuar për studentët e Kolegjit AAB.

Pjesë e këtij panairi, është padyshim edhe zyra e Pogramit për Karrierë dhe Punësim në Kolegjin AAB, ku afër shtandit të saj, studentë dhe të diplomuar të Kolegjit AAB, kryesisht të degës së Infermierisë patën rastin të informohen për mundësitë e shumta që ofron zyra e Programit. Studentët e Fakultetit të Infermierisë, në Kolegjin AAB , të cilët synojnë të punojnë si infermier/e në Gjermani, mund të bëhen pjesë e Programit për Karrierë dhe Punësim, ku atyre iu ofrohet gjuha gjermane deri në nivelin B2 pa pagesë, njohja ose barasvlerësimi i titullit akademik nga shteti gjerman, kontratë pune në klinikat partnere gjermane, përkthimi i gjithë dokumentacionit dhe aplikimi për vizë pune në ambasadën gjermane.